Pavarësi e gjyqësorit, jo shkëputje nga varësia ligjore
by teutavodo
Vetëm para disa dekadash, gjyqtarët edhe në vendet më demokratike, nuk ishin më shumë se ç’i përkufizonte Montesquieu, pra “bouche de la loi”, që në fjalë të tjera do të thotë “goja e ligjit”. Aktualisht, në vendet demokratike, por edhe më pak demokratike, nga gjyqtarët pritet shumë më tepër. Roli dhe impakti i autoriteteve gjyqësore në botë është rritur dhe gjykatat po marrin vendime me ngjyra gjithmonë e më shumë politike që ishin më parë nën kompetencën e qeverive përkatëse. Madje, aq shumë kompetenca kanë marrë disa, si Gjykata e Lartë Amerikane apo Gjykata Kushtetuese Gjermane sa janë ngritur shqetësime për pushtetin e tyre që po kalon limitet e parashikuara nga legjislatori. Pra, gjyqtarët po shndërrohen gjithmonë e më shumë në aktorë politikë përsa i përket vendimmarrjeve. Edhe pse fokusi ka qenë mbi vendet perëndimore, nuk mund të mos vihet re që gjyqësori në vende me politika pak transparente dhe autoritare mbetet pushteti që komentohet më shumë. Shumë vende, si ish-Republikat Sovjetike, Amerika Latine, Kina dhe vendet socialiste të Azisë, që edhe pse janë demokraci jo të konsoliduara, ose vende me autoritarizëm të moderuar, shfaqin një interes në rritje për institucionet gjyqësore. Kur mendojmë për gjyqësorin në Shqipëri, situata duket aq e koklavitur sa, para se të fillosh të shkruash, një seri konceptesh të vijnë në mendje njëri pas tjetrit, ku i pari është ai i shumëpërfoluri: pavarësia e gjyqësorit. Asnjërit prej nesh nuk i ka shpëtuar pa vënë re kërkesën e vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe të BE-së për një pavarësi të gjyqësorit si një nga kushtet kryesore për të marrë statusin kandidat. Pohimi që gjyqësori tek ne nuk është i pavarur nuk i vë kapakun gjithçkaje, e shoqëruar nga pyetja retorike ‘do më ?’ (e thënë nga një taksist pak ditë më parë që po më tregonte që ishte pikë e vrer për një gjyq të shkuar keq), pasi propaganda për një gjyqësor të pavarur, jo vetëm që na serviret në çdo deklaratë politikanësh, por edhe komentohet vazhdimisht si një nga kushtet për të marrë statusin për në BE. Të gjithë flasim për pavarësinë e gjyqësorit, por shumë shpesh nuk e dimë konkretisht çfarë kuptojmë me të. Nuk dua të listoj këtu përkufizimet e panumërta që janë dhënë për pavarësinë gjyqësore, por dua të argumentoj se si koncepti i pavarësisë gjyqësore mund të instrumentalizohet. Në shumë sisteme autoritare siç përmenda më lart, bëhet gjithashtu propagandë për pavarësinë gjyqësore. Atëherë bindesh gjithmonë e më shumë që gjyqësori po jeton një epokë tjetër, që nga një shikim i parë dhe miop, mund të quhej, pse jo, edhe epokë e artë. Por përsëri ka diçka që nuk shkon tek propaganda e pavarësisë gjyqësore ‘tout court’, e aq më pak tek ajo shqiptare. Gjykatat janë si shpata me dy tehe. Nga njëra anë i jepet pushtet nga legjislatori, për të vepruar në mënyrë të pavarur nga pushtetet e tjera dhe nga ana tjetër, kjo propagandë e gjyqësorit përdoret nga politika për çështje të interesit kombëtar, pra për raste kur qeveritë rrezikojnë të humbasin popullaritetin para elektoratit të tyre. Gjykatat në sisteme si ky i yni, janë më komplekse se ç’mund t’i mendojmë dhe tek propaganda për një gjyqësor të pavarur është edhe pika kyçe. Por çfarë i motivon liderët për të propaganduar pavarësinë gjyqësore? Kjo propagandë shërben për ta përdorur gjyqësorin edhe njëherë më shumë në interesin e politikës. Gjykatat në sisteme autoritare përdoren për të vënë mënjanë kundërshtarët politikë, për të përkrahur pretendimet e regjimit për legjitimitet, për të përforcuar administratën brenda makinerisë burokratike të shtetit. Paradoksalisht, gjykatat propagandohen si një pushtet i pavarur nga i cili kërkohet të kufizojnë manovrat e mundshme të politikave personale. Faktorë të jashtëm, si kushtet ekonomike, pushteti ekzekutiv dhe çështjet legale ndikojnë që gjykatat të anulojnë ligje të caktuara. Gjykatat, (në rastin tonë, gjykata kushtetuese) mund të mobilizohen nga aktorë të ndryshëm për çështje të ndryshme të interesave kombëtare (siç ka ndodhur tashmë) dhe këto aleanca bashkëpunojnë me gjykatësit, të cilët kanë synim të ndikojnë në formën politike, por edhe në këtë rast ka mekanizma që punojnë për të përmbajtur këtë aktivizëm gjyqësor. Gjykatat mund të ndikohen nga pushteti ekzekutiv në dy mënyra. Nga njëra anë, gjykatësit ka të ngjarë të mos shfuqizojnë normat në vende me ekzekutiv të fortë, si në Shqipëri, dhe e dyta, nëse vetë ekzekutivi apelon gjykatat, këto të fundit ka shumë të ngjarë të pajtohen me autoritetin ekzekutiv. Një nga strategjitë për të kufizuar aktivitetin e gjyqësorit është krijimi i sistemeve gjyqësore të fragmentuara. Vetëm në fund të 2012, ministri i Drejtësisë pohoi që gjykata e Tiranës është e mbingarkuar ndaj edhe duhej të emëroheshin më shumë gjyqtare. Strategjia e dytë, është duke promovuar disa incentiva institucionale që promovojnë auto-kufizimin e gjyqësorit. Rasti që mund të merret si shembull është ai i mungesës në kuadrin ligjor të kritereve të meritokracisë. Si mund të emërohen gjyqtarë në Gjykatën e Lartë pa punuar më parë në gjykata më të ulëta? Kjo shkakton shumë pështjellim, por mbi të gjitha dekurajim në radhët e gjyqësorit. Një argument tjetër është roli i Gjykatës së Lartë për të harmonizuar vendimet gjyqësore, e thënë më qartë, për të dhënë disa standarde në mënyrë që të udhëheqë gjykatat më të ulëta të marrin vendime konform me ato të Gjykatës së Lartë. Por kontradikta për disa vendime që kanë tërhequr vëmendjen e publikut kanë bërë që të ketë akoma çoroditje në radhët e gjyqësorit për vendimet gjyqësore të ndryshme. Pra abuzimet dhe korrupsioni përkthehet në probleme teknike, logjistike dhe në një nivel të ulët profesional. Këto detaje që duken që ‘s’i ka ardhur akoma koha’ për t’i parë e bashkuar me propagandën për pavarësinë e gjyqësorit bëjnë që gjyqësori të jetë edhe më shumë se më parë mjet i politikës. Edhe pse kuadri ligjor mund t’i ofrojë gjykatave një nivel të lartë pavarësie, pozita e gjyqësorit influencohet nga kombinimi i faktorëve institucionale, ekonomike, dhe kontekstual.