Një rrezik në rritje për statusin e vendit kandidat
by teutavodo
Shumë shpejt Komisioni Europian do të shprehet për marrjen apo jo të statusit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke pasur parasysh që statusi tashmë është refuzuar tri herë, shumë qytetarë shqiptarë, edhe më optimistët, kan rezervat e tyre. Që Shqipëria të marrë statusin këtë dhjetor dhe jo vitin e ardhshëm, ose në vitet në vazhdim, nuk është vetëm e rëndësishme, por është vendimtare për të ardhmen. Pra ka një probabilitet mesatarisht të lartë që refuzimi i statusit këtë vit mund të ishte as më pak dhe as më shumë, por i pandreqshëm.
Duke pasur parasysh që pas aprovimit të Komisionit Europian, Këshillit të Europës i kërkohet të aprovojë marrjen e statusit, është e nevojshme që të shikohet se cilat shtete janë më hezituese karshi Shqipërisë. Një nga shtetet që është akoma duke hezituar është Hollanda. Duke lexuar deklarime të ndryshme që politikanët hollandezë kanë bërë për Shqipërinë, nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen një pohim i një deputeti hollandez dhe ish-lider i Partisë Konservatore-liberale e quajtur Partia e Popullit për Liri dhe Demokraci (Volkspartij voor Vrijheid en Democratie, VVD).
Kjo parti, është pjesë e grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën, që formon edhe grupin e tretë më të madh në Parlamentin Europian (The Group of the Alliance of Liberals and Democrats for Europe, ALDE). Ai shprehej se Shqipëria ishte larg së bëri pjesë në Bashkimin Europian për shkak të krimit të organizuar, korrupsionit dhe gjyqësorit jo transparent dhe të korruptuar. Më tej ai shton se hyrja e Shqipërisë në BE do ta dobësonte më shumë këtë të fundit dhe duke konkluduar së fundmi që nuk duhet të ketë më zgjerim. Mund të argumentohet si normale që Hollanda mban një qëndrim të tillë, duke pasur parasysh që ka qenë vendi që (bashke me Francën) i thanë ‘jo’ Kushtetutës Europiane.
Pra, është e qartë që nuk mund të presim entuziazëm nga Hollanda. Në fakt, këto pohime që sot na duken shumë dekurajuese, të padrejta etj., nuk janë asgjë në krahasim me atë që mund të vijë më vonë për Shqipërinë. Mos të harrojmë që në maj 2014 qytetarët europianë do shkojnë në zgjedhje. Një herë që Parlamenti merr detyrën do zgjedhë edhe Presidentin e Komisionit Europian dhe pikërisht ky i fundit është promovuesi i zgjerimit të BE-së. Ka një pasiguri të vazhdueshme në Bruksel për zgjedhjet e ardhshme, që janë konsideruar si më të rëndësishmet deri tani.
Shumë tremben të shohin partitë e djathta ekstreme të vënë bazat e tyre në Bruksel si p.sh. Partia Populiste Demokrate e Suedisë, Partia ‘Strache’ në Austri, Partia ‘Vlamms Belang’ në Belgjikë, Partia ‘Alternativa për Gjermaninë’ e Gjermanisë, por mbi të gjitha ‘Front National’ e Le Pen në Francë dhe Partia e Lirisë (PVV) e Wilders në Hollandë etj.. Këto dy të fundit, përveçse po punojnë së bashku për të formuar një aleancë, kanë rezultuar në sondazhet e fundit të fitojnë gjithmonë e më shumë popullaritet.
P.sh vetëm në Francë, 24 përqind e francezëve kanë deklaruar që do votonin për të djathtën ekstreme në maj 2014. Duhet shtuar që euroskepticizmi nuk është prezent vetëm në vendet themeluese të BE-së, por ka një frymë të tillë edhe në vendet lindore, si Republika Çeke etj.. Frika që në Parlamentin Europian mund të stabilizohen partitë e djathta ekstreme, nuk është e pabazuar duke pasur parasysh se si papunësia vazhdon të rritet në këto vende, se si buxheti financiar rritet dhe se si liderët e majtë po humbasin popullaritet (rënia e popullaritetit të Hollande në Francë ka prekur majat e veta historike).
Për më shumë, historikisht, partitë e djathta ekstreme kanë ardhur në pushtet pothuajse automatikisht sa herë ka pasur një krizë ekonomike. Pra aktualisht, sondazhet parashikojnë që 30 përqind e Parlamentit Europian do përbëhet nga euroskeptikë. Rreth para një viti, kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan shprehu që qeveria shqiptare duhet të shfrytëzonte kohën aktuale kur gjendet para një Komisioni Europian kaq shumë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo frazë kaloi pa u vënë shumë re në atë kohë, por tani që zgjedhjet europarlamentare po afrojnë, nuk mund të injorohet impakti që mund të kenë mbi vendin tonë dhe gjithë procesin që vijon drejt anëtarësimit të plotë.