Dështoi demokracia apo shteti?
by teutavodo
Shumë shpesh në Shqipëri qarkullon thënia ‘është një fazë që duhet ta kalojmë si e gjithë bota’. Kjo frazë na qetëson disi duke menduar se kjo etapë e quajtur ‘tranzicion’, është një proces normal, përmes të cilit duhet të kalojmë për të konsoliduar përfundimisht modelin demokratik në vend. Kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga lëvizja studentore, që mund të kishte qenë fillimi i një demokratizimi të vendit, por gjërat nuk vijuan si shumë prej nesh mendonin se do ishte rrjedha normale e këtij procesi. Përmbysje të regjimeve të caktuara kanë pa diskutim efektin e tyre, por…demokracia nuk është aspak një destinacion i sigurt drejt së cilës ishim duke u drejtuar. Në shumicën e rasteve nuk ka garanci që një vend i quajtur ‘në tranzicion demokratik’ do adoptojë automatikisht modelin demokratik edhe pse ky i fundit mund të ketë qenë qëllimi fillestar i atyre që i dhanë jetë. Shqipëria ka kaluar tashmë fazën e tranzicionit dhe gjendet në të ashtuquajturën ‘zonën gri’. Të jesh në ‘zonën gri’ do të thotë që koha e presupozuar që një vend të konsolidojë modelin demokratik, ka kaluar dhe ai tashmë ndodhet në një faze ku shanset më të mëdha janë ato për të kaluar në një regjim autoritar liberal. Tranzicioni drejt demokracisë është konsideruar si një proces biologjik, si një shtatëzani, që nëse kalon koha e caktuar dhe foshnja nuk lind, do të thotë që ka vdekur brenda embrionit. Është e vërtetë që Shqipëria ka adoptuar modele demokratike me një kuadër ligjor perëndimor, por të paplotësuar, dhe te kjo zbrazësi kanë gjetur mundësinë shumë aktorë për të luajtur lojërat e tyre personale. Fakti që 20 vitet e para u quajtën tranzicion, nuk përbënte garanci që Shqipëria do shndërrohej në një demokraci të suksesshme. ‘Stand by ‘ i Shqipërisë nuk është një rast i panjohur për historinë e demokracisë. Dështimi për demokratizim është një ‘déjà vu’ për kontinentin europian, ku valët e kryengritjeve për të kërkuar regjime politike liberale filluan në fund të shek. XIX deri në fillim të shek. XX. Kjo ndodhi në Gjermani pas unifikimit në 1871. Këtu grupe të shumtë bënin presion për reforma politike dhe për demokratizimin e vendit por për shkak se institucionet politike nuk reaguan ndaj kësaj fryme, këto grupe filluan të polarizoheshin drejt ideve ekstremiste. Pra kjo valë demokratizimi nuk ndaloi që Gjermania të përqafonte më vonë idetë naziste. Në Spanjë pas një periudhe tranzicioni demokratik, u formua një republikë me një kushtetutë demokratike, por që më vone, jo vetëm dështoi, por i përkeqësoi gjërat duke injoruar kërkesat e klasave të ulëta dhe të mesme dhe duke shtuar instabilitetin e dhunën. Austria para 1914-s po i përgjigjej reformave demokratike, por këto lëvizje nuk rezistuan gjatë, sepse nuk kënaqnin skeptikët dhe strukturat e perandorisë po cenoheshin. Republika e Tretë e Francës në 1875, aprovoi të drejtat civile dhe politike, por u ndalua më vonë nga forcat monarkike, konservatore dhe fetare dhe ndarjet social-politike në vend. Pra, para 1914-s, edhe pse Europa e kishte kaluar këtë valë demokratizimi, pak shtete mundën të shndërronin tranzicionin në një proces demokratik të suksesshëm. Rezultati? Italia përqafoi fashizmin, Gjermania nazizmin, Spanja dhe Austria luftërat civile, ndërkohë që Franca trashëgoi një republikë të dobët që u be pre e pushtimit nazist. Demokracia mund të vijë në mënyra të ndryshme në kontekste të ndryshme, por asnjëherë nuk vjen lehtësisht. Në praktikë, shumë pak shtete në historinë e demokracisë kanë pasur një proces demokratizimi gradual, liberal dhe të qetë dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim. Shumica e shembujve më lart tregojnë që ndarjet ideologjike dhe mungesa e një ure lidhëse midis njerëzve dhe institucioneve, ka bërë që shumë lëvizje të dështojnë. Këto raste tregojnë që mundësitë që Shqipëria të devijojë nga një proces demokratik normal janë të shumta. Një shembull nga e kaluara është konflikti i brendshëm i revolucionarëve të qershorit. Noli kishte ide të qarta për një formë qeverisjeje republikane, ndërkohë që Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi ishin për një monarki kushtetuese. Pra, ishin bashkë për të përmbysur regjimin zogist, por nuk ranë dakord mbi pika të tjera. I njëjti fenomen ndodhi në 1848 në Prusi, në konfliktin midis radikalëve dhe centristëve, ku të parët ishin pro formës republikane dhe të dytët debatonin nëse duhej të përfshinin Austrinë brenda territorit. Dhe ashtu si Zogu u kthye në Dhjetor 1924 ashtu edhe Frederick Willian IV përfitoi nga situata e përçarë dhe u kthye në pushtet. A është rasti i Shqipërisë dështimi i demokracisë apo dështimi i një shteti? Unë do zgjidhja këtë të fundit si përgjigje. Ne duhet të fokusohemi, jo tek një demokraci që na siguron vetëm një legjislacion të mirë, por tek një demokraci që krijon urën midis popullit dhe sistemeve politike, një demokraci që s’mund të garantohet nga asistenca ndërkombëtare.