Çfarë po ndodh me Shqipërinë?
by teutavodo
Kjo është një pyetje që shumë funksionarë të BEsë ia kanë drejtuar përfaqësuesve shqiptarë në BE dhe politikanëve shqiptarë. Kjo pyetje nuk vjen nga një kureshtje e rëndomtë dhe as nga një shqetësim i radhës që mund të kenë komisionerët e ngarkuar me integrimin e Shqipërisë në BE. Ajo vjen si një dilemë që ka vetë Bashkimi Europian në këtë moment nëse mekanizmat që përdor për vendet aderuese (si kushtëzimi), funksionojnë akoma apo jo. Vlen për t’u theksuar që kushtëzimi, pra kushtet që përdor BE-ja kryesisht për të anëtarësuar vendet aspiruese për në BE (anëtarësimet e 2004 dhe 2007) është konsideruar si politika më efektive dhe e suksesshme e BE-së deri tani. Mekanizmat që BE ka përdorur deri tani për të bërë që vendet kandidate të ndjekin programin e paracaktuar janë vënë në pikëpyetje nga studiues të ndryshëm dhe Shqipëria, nuk po bën gjë tjetër veçse po përforcon këto dyshime përsa i përket efektivitetit të tyre. Vetë vizita e komisionerit Fyle në Tiranë, për votimin e tre ligjeve e tregon këtë gjë. Ata e kanë quajtur këtë proces ‘carrot and sticks’, një metodë që përdorej nga fshatarët për të bërë që gomari i tyre të rifillonte të ecte kur refuzonte ta bënte këtë. Mënyra ishte e tillë: ose fshatari tundte karrotën para hundës së gomarit, kështu që ai duke u përpjekur të hante karrotën avanconte edhe më shumë, ose mënyra klasike e shkopinjve, pra gomari rrihej me shkop që të mund të ecte. Por çfarë po ndodh konkretisht me Shqipërinë? “Acquis communaitaire” dhe kërkesat e BE-së janë kritere sine qua non për të standardizuar politikën shqiptare me atë europiane. Adaptimi i rregullave, normave, standardeve europiane janë kritere për aderimin në BE. Pra politikbërjet e vendeve që aspirojnë të hyjnë në BE, automatikisht influencohen nga të gjithë ato mekanizma që BE ka vënë në dispozicion për këtë proces në politikat e brendshme të vendit aspirant. Në Shqipëri duket që disa prej këtyre mekanizmave po dështojnë. Ekziston një humnerë e madhe midis institucioneve europiane dhe strukturave politike shqiptare. Shqipëria nuk i ngjan aspak një vendi që po aspiron të futet në BE dhe kjo për disa arsye. Prezenca e vazhdueshme e fenomeneve si korrupsioni, vështirëson shumë inkorporimin e rregullave europiane në vend. Aferat korruptive të politikanëve dhe mënyra se si anashkalohen, nga gjyqësori në fillim, por edhe nga vetë qytetarët së dyti, nuk të jep aspak ndjesinë se gjërat mund të kenë marrë drejtimin e ndryshimit. Prokuroria duket tashmë si një vend ku magazinohen dosje të ndryshme, disa prej të cilave s’do hapen kurrë dhe të tjerat do lihen përgjysmë. Mekanizmat kontrollues (si komisioni i ngritur për 21-janarin) nuk kanë munguar. Kurse, përsa i përket opinionit të qytetarëve të zakonshëm, edhe ai kontrollohet duke vënë si prioritet të ditës disa tematika dhe jo të tjera. Opinioni publik, në sensin e një bashkësie opinionesh që bashkohen për të vënë pikën mbi ‘i’ nuk ekziston. Shumë akuza reciproke kanë impaktin e tyre për një kohë të shkurtër pastaj jeta rrjedh normalisht, dielli del ditën tjetër sërish, zogjtë këndojnë në pemë, lulet çelin dhe qytetarët heshtin. Nëse aferat korruptive të njëpasnjëshme pasohen nga shprehja klasike ‘nuk i gjen gjë ata’, është sepse në princip politikanët i njohin shumë mirë qytetarët e tyre dhe politikanët shqiptarë nuk bëjnë përjashtim. Jo vetëm, por ata dinë se çfarë mendojmë dhe që çdo qytetar i heshtur mendon që po të ishte në vend të tyre, ndoshta do të bënte të njëjtën gjë. Në një përqindje apo në një tjetër ne legjitimojmë veprimet e tyre me heshtjen tonë. Qytetarët sllovakë e kuptuan, që nëse kryeministri Mečiar me të gjithë aferat e tij korruptive dhe sulmet ndaj presidentit dhe institucioneve të tjera, do të rizgjidhej edhe njëherë tjetër, Sllovakia mund ta harronte integrimin në BE edhe për shume vite të tjera. A ka nevojë Bashkimi Europian për një formulë të re për aderimin e Shqipërisë apo është Shqipëria që ka nevojë për një rishikim të klasës politike? Arsyeja pse u ndala tek roli i qytetareve është sepse demokratizimi i një vendi nuk varet nga një formulë matematikore. Nuk ekziston në literaturë një përkufizim i demokracisë dhe i demokratizimit për të cilin teoricienët e demokracisë bien dakord. Vetë BE nuk ka pasur ndonjëherë formulime të sakta sesi vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet të veprojnë për të plotësuar kushtet. Kjo sepse politika që BE ka përdorur deri tani, është ajo e pranimit të diversitetit, pra jep liri që secili vend kandidat të mund të plotësojë këto direktiva sipas kontekstit të tij politik, ekonomik etj. Ndryshimi, edhe ne rastin e evropianizimit, ndodh përmes një sistemi demokratik, i cili është fleksibël dhe adaptohet sipas nevojave të qytetarëve përmes një adaptimi të rregullave dhe institucioneve. Kjo politikë e BE-së mund të vazhdojë të jetë e suksesshme edhe në rastin e Shqipërisë nëse ne do të mund të përballeshim me kërkesat e tyre.