A do ketë mobilizim shoqëror në Shqipëri?
by teutavodo
Gjithmonë më ka intriguar teoria e demokracisë nga terreni, e thënë ndryshe ‘bottom – up democracy’. Nuk kam pasur dëshirë/kuriozitet më të madh se sa të shikoja të lëvizte diçka nga terreni shqiptar. Për të dhënë një përkufizim të sintetizuar, demokracia nga poshtë – lart është ajo demokraci pjesëmarrëse, e cila mobilizon qytetarët e një vendi për të marrë pjesë në jetën politike në vend. Konteksti ynë historik dhe strukturat shoqërore, bazat e pushtetit shtetëror, nuk na kanë lejuar që të ketë një lëvizje nga ne, populli. Në fakt, për të pasur një lëvizje nga terreni ose një revolucion shoqëror, duhet të kemi dy faktorë: e para është kriza e institucioneve shtetërore që mund të shkaktohet si nga faktorë ndërkombëtarë ashtu edhe të brendshëm. Në rastin e Shqipërisë mund të flasim për një sërë ngjarjesh politike që kanë alarmuar jo pak organizatat e të drejtave të njeriut dhe që kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë aktuale. Si rezultat, besueshmëria tek institucionet sa vjen e dobësohet, duke sjellë si rezultat një regjim që po humbet autoritetin dhe legjitimitetin e tij. Mos të harrojmë që vlerat dhe institucionet i kemi krijuar vetë ne, njerëzit. Aktorët politikë brenda kuadrit institucional kanë një sërë preferencash dhe për të favorizuar këto të fundit sillen në mënyrë instrumentale përmes llogaritjes strategjike kosto-perfitim. Pra, janë institucionet që vendosin ‘rregullat e lojës’, përkufizojnë strategjitë e disponueshme dhe një sërë alternativash. Por ato nuk janë krijuar natyralisht. Ne i kemi krijuar. Dhe nëse nuk i shërbejnë më nevojave tona, ne, njerëzit, kemi fuqinë për t’i riformuar/ristruktuar ato. Ashtu si edhe pohojnë shumë analistë, dobësia e institucionenve është si elefanti. Nuk e dimë si ta përkufizojmë madhësinë e tij, por jemi të sigurt që ekziston kur e kemi para syve. Në fakt institucionet mbijetojnë vetëm kur tregojnë që janë të afta të mbrojnë legjitimitetin e tyre. Kur njerëzit humbasin besimin tek institucionet dhe fillojnë të veprojnë sikur mos të ekzistonin, ato institucione humbasin automatikisht legjitimitetin. Faktori i dytë, dhe më i rëndësishëm, është modeli i strukturës shoqërore. Ky model, vendos se cili grup dhe cilët individë mund të influencojnë masat. Po cila ka qenë forma e regjimit paraprak dhe cilat kanë qenë kufizimet e tij në rastin e Shqipërisë? Shqipëria është gjendur në linjat ndarëse midis një shteti, fisnor, fshatar dhe kanunor me një shoqëri para-moderne. Ndryshimet themelore në strukturën e shoqërisë shqiptare ndodhën me reformat e Tanzimatit, ku bajraku pësoi goditjen e parë politikisht. Kur populli shqiptar fitoi pavarësinë në 1912, kishte pak përvojë në vetë-qeverisje. Shqiptari i zakonshëm nuk kishte votuar ndonjëherë në zgjedhje dhe kishte pak ose aspak njohuri për strukturën dhe funksionimin e qeverisë. Nga ana tjetër, aplikimi i Kanunit u komplikua kur u ndesh me strukturat ligjore të fesë dhe të shtetit. Kështu, forma e regjimit paraprak përcaktoi në një farë mënyre ‘fatin’ tonë, pra nëse do kishim mobilizim apo jo dhe nëse po, ç’lloj mobilizimi do të kishim. Revolucioni shoqëror është kombinimi i transformimeve të strukturave shoqërore. Një shembull është revolucioni kinez, që ndryshe nga ai amerikan, ishte një revolucion social, duke ndryshuar gjithë rendin shoqëror. Synimi ynë nuk duhet të jetë vetëm politik, duke bërë që pushteti të kalojë nga një dorë në tjetrën, por mbi të gjitha shoqëror. Një mobilizim social fillon me mënyrën se si ne përqasemi me jetën e përditshme. Në kontekstin e sotëm, mobilizimi ndodh kur njerëzit ndalojnë së besuari një gjë, dhe fillojnë të besojnë diçka tjetër; pra braktisin mënyrat e vjetra të jetuarit, dhe fillojnë të jetojnë në mënyra të reja. Unë nuk di t’i përgjigjem pyetjes që ky artikull propozon në fillim, sepse kjo varet nga çdo njëri prej nesh dhe se çfarë lejojmë të na mobilizojë. Jemi ne që vendosim për mënyrën sesi i fitojmë paratë, sesi shpenzojmë kohën e lirë, si përqasemi me familjen tonë, miqtë, kolegët etj. Çdo gjë fillon me ndjenjën krenare që kemi për të shkuar të votojme dhe jo ta shesim atë për 50.000 lekë të vjetra ose një premtim elektoral etj etj. Antonio Gramsci bëri të rrihnin shumë zemra teksa thoshte ‘Studioni, sepse do kemi nevojë për gjithë inteligjencën tuaj; debatoni, sepse do të na duhet gjithë entuziazmi juaj; organizohuni, sepse do kemi nevojë për të gjithë forcën tuaj”. Po ku është entuziazmi ynë? Po forca jonë për të thënë ‘jo’? Çdo aktivitet që konstaton individualitetin dhe autonominë tonë nga institucionet është në vetvete një akt thellësisht revolucionar. Dhe ky është fillimi.